Shumica e personave që sulmuan seksualisht qindra gra në Këln të Gjermanisë gjatë natës së ndërrimit të viteve mbase nuk do të kapen asnjëherë. Kështu ka deklaruar kreu i policisë së qytetit, Juergen Mathies, i cili tha se pamjet e marra nga kamerat e sigurisë nuk mjaftojnë për të identifikuar qartë autorët apo edhe sulmet seksuale.
“E gjitha çfarë shihet në to janë disa vjedhje. Aktualisht më së shumti po mbështetemi te dëshmitë e viktimave për të identifikuar sulmuesit”, u shpreh kryepolici Mathies.
Në polici janë paraqitur më shumë se 500 padi penale, 40% prej të cilave pretendojnë për sulme seksuale. Dy marokenë dhe një tunizian do të paraqiten në gjyq për vjedhje, duke shënuar kështu edhe herën e parë që autorët e sulmeve të vitit të ri paraqiten në gjykatë.
Detektivët kanë identifikuar 75 të dyshuar, shumica nga Afrika e Veriut, të cilët kanë hyrë ilegalisht në Gjermani ose janë azilkërkues.
Më 31 dhjetor një bandë prej 1 mijë personash, me origjinë arabe dhe afrikane sulmuan qindra gra në afërsi të stacionit kryesor të trenit në Këln.