Sulmet terroriste kanë lënë dhjetëra civilë të vrarë në veri të Mozambikut.

Afërsisht 7 persona u ekzekutuan në një hotel në qytetin e Palmës, teksa tentonin të shpëtonin nga militantët islamikë. Qindra persona të tjerë mundën të largoheshin me anë të një anijeje nga qyteti, në të cilin po zhvillohet një projekt miliarda dollarësh për transportimin e gazit.

Ata që mbetën pas u gjetën të shtrirë plazheve të provincës afrikane me kokat e gjymtuara.

“Objektivi i qartë i këtyre terroristëve ishte terrorizimi i popullatës dhe kërcënimi i zhvillimit të infrastrukturës që do të përmirësojë kushtet e jetesës për vendin dhe komunitetin lokal,” deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes.

Veriu i Mozambikut është kthyer në një fushëbetejë ku protagonistë janë luftëtarët pro ISIS-it, që njihen si grupi al-Shabab. Në rajonin me shumicë myslimane të Kapo-Delgados, mësohet se tre vjet luftime kanë shkaktuar mbi 2,500 viktima dhe kanë shpërngulur 700 mijë nga vendbanimet e tyre.

Shtetet e Bashkuara thanë të dielën se po e monitorojnë situatën fatkeqe në Palmë, dhe gjatë javëve në vijim do të dërgojë personelin e vet për të trajnuar ushtarët e Mozambikut.