Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë për udhëtimet e tyre në Evropë, duke përmendur sulmet terroriste në rritje, sidomos gjatë periudhave të pushimeve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga departamenti i shtetit thuhet: “Qytetarët amerikanë (që udhëtojnë në Evropë) duhet të jenë të kujdesshëm në aktivitetet dhe festivalet e pushimeve. Ky paralajmërim për udhëtimin do të përfundojë me 31 janar 2018”.
Më tej, në deklaratë, teksa theksohen sulmet e fundit në Francë, Rusi, Suedi, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë dhe Finlandë, thuhet se organizatat terroriste si DEASH dhe Al-Qaeda kanë aftësinë që të kryejnë sulme të ngjashme në Evropë.
Ndër të tjera, në deklaratën ku rikujtohen sulmet para dhe gjatë Vitit të Ri në Berlin të Gjermanisë dhe në klubin Reina në Stamboll, theksohet se departamenti amerikan ka shqetësime për sulme të mundshme.
Qytetarët amerikanë, poashtu janë paralajmëruar që të jenë të kujdesshëm kundër sulmeve të disa prej mbështetësve të terrorizmit dhe të disa personave që kanë radikalizuar vehten e tyre.
“Vendet turistike, pikat e transportit, qendrat tregtare, hotelet, restorantet dhe parkingjet janë hapësira që mund të tërheqin vëmendjen e terroristëve”, thuhet ndër të tjera në deklaratë, ku bëhet e ditur se terroristët mund të përdorin armë, lëndë shpërthyese dhe metoda të tjera si automjete etj.