Avokati Sokol Mëngjesi i cili u dhunua brutalisht nga tre persona, prej pesë ditësh është në intubim, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Sipas informacioneve nga spitali i Traumës, ku avokati ndodhet, bëhet me dije se po mbahet në monitorim intensiv dhe sot pritet për të parë reagimin e tij.

Pavarësisht se Prokuroria e ndryshoi akuzën për të prangosurit, duke hequr vrasjen e funksionarëve publikë, mbetur në tentativë, duke e bërë plagosje me dashje e kryer në bashkëpunim, gjykata ka vendosur që Dritan Nano, i dyshuar si organizuesi i sulmit dhe dhëndri i tij Dorian Aliaj, një nga autorët të hetohen në burg. Ndërkohë tre personat e tjerë të përfshirë në sulm ende nuk janë kapur nga policia.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e 29 majit, ku pasi avokati ka lënë djalin e tij në kopësht, teksa po rrinte në këmbë jashtë rrethimit të institucionit është goditur me grusht nga një person dhe më pas është rrëzuar në tokë duke përplasur kokën në trotuar, ndërsa dy persona të tjerë kanë nisur ta godasin me shkelma.

Si pasojë e goditjeve ka pësuar dy fraktura, dëmtime te zona e ballit dhe pas koke dhe nga këto goditje. Gjithashtu ka pësuar dëmtime në pjesën e trurit dhe hemorragji të vogël.

Autorët e sulmit u identifikuan si Dorian Alia, 32 vjeç (i arrestuar pas vetëdorëzimit); Drivald Alia, 21 vjeç (në kërkim); Elton Kasaj (në kërkim), 33 vjeç dhe Romario Tabaku, 26 vjeç (në kërkim), të gjithë banues në Tiranë.

Romario Tabaku ishte personi që ka larguar me makinë autorët e sulmit nga vendngjarja. Policia ka vënë 20 mijë euro shpërblim për ato që japin informacion të vlefshëm që ndihmon në kapjen e tyre.