Pas sulmit me armë në Mynih ku humbën jetën 9 persona dhe u plagosën të paktën 16 të tjerë, mes viktimave edhe 3 shqiptarë, kanë reaguar edhe liderët e politikës në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama shprehet i hidhëruar për jetët e humbura ndërsa solidarizohet me Gjermaninë.
“Trishtim i thellë për jetët e humbura në sulmin barbar të Mynihut mes të cilave edhe jetë shqiptarësh! Solidaritet me Gjermaninë mike”, shkruan Rama.
Edhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka shprehur hidhërimin për jetët e humbura në Mynih dhe solidarizohet me autoritetet gjermane.
“Ndaj dhimbjen për jetët e humbura në Mynih. Terrorizmi goditi përsëri. Lufta ndaj së keqes duhet të na bashkojë më shumë. Solidaritet me familjet që humbën të dashurit e tyre. Solidaritet me autoritetet gjermane dhe kancelaren Merkel. Koha të reflektojmë dhe veprojmë si një bashkësi e së mirës ndaj së keqes. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve shqiptare që humbën të afërmit nga ky akt barbar!”, thuhet në mesazhin e kreu të Parlamentit Ilir Meta.
Gjermania kaloi një të premte terrori dje, kur një 18-vjeçar gjermano-iranian sulmoi me armë në një qendër tregtare. Nga 9 personat që humbën jetën në këtë sulm me armë zjarri në Mynih, tre prej tyre janë nga Kosova, një djalë dhe dy vajza në moshë fare të re. Ata janë Dijamant Zabergja, 21 vjeç, Sabina Sulaj dhe Armela Segashi.





