Një sulm i armatosur u regjistrua mesditën e kësaj të marte, e njohur si e Marta e Madhe, pranë konsullatës izraelite në Stamboll, duke shkaktuar alarm të lartë në radhët e sigurisë.

Ngjarja ndodhi në zonën e Beşiktaş, ku sipas informacioneve të para, tre persona të armatosur hapën zjarr jashtë përfaqësisë diplomatike të Izraelit.

Policia e Stambollit bëri të ditur se të tre autorët janë neutralizuar: dy prej tyre kanë mbetur të vrarë, ndërsa i treti është plagosur.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit janë plagosur edhe dy efektivë policie, ndërsa ata janë transportuar për ndihmë mjekësore.

Mediat turke raportojnë se autorët ishin të pajisur me armatim të rëndë, çka e ka bërë edhe më të rrezikshme situatën gjatë ndërhyrjes së forcave të sigurisë.

Zona përreth konsullatës është izoluar, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e sulmit.