Pas sulmit masiv nga ajri me dronë dhe raketa, Presidenti i SHBA, Joe Biden ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin izraelit, Netanjahu, të cilit i riafirmoi angazhimin e palëkundur të Amerikës ndaj Izraelit.
“I thashë se Izraeli demonstroi një kapacitet të jashtëzakonshëm për t’u mbrojtur dhe mposhtur edhe sulme të paprecedentë. Duke vepruar kështu, Izraeli u ka dërguar një mesazh të qartë armiqve të tij se ata nuk mund të kërcënojnë efektivisht sigurinë e Izraelit”, tha Biden.
Presidenti Biden e përfundon deklaratën e tij duke thënë se ai do të mbledhë udhëheqësit e G7 gjatë ditës së sotme për të bashkërenduar një përgjigje të bashkuar diplomatike ndaj sulmit të Iranit. Ai shtoi se ekipi i tij do të mbetet në kontakt të ngushtë me udhëheqësit e Izraelit.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet sot për një takim urgjent lidhur me sulmin me dron dhe raketë të Iranit ndaj Izraelit. Takimi u kërkua nga Izraeli, i cili i shkroi në një letër presidentes së këshillit, Vanessa Frazier, se sulmet paraqesin një kërcënim të madh për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Në letër akuzohet Irani se ka shkelur detyrimet e tij ndërkombëtare dhe se është arkitekti i destabilitetit për vite me radhë përmes mbështetjes të tij për Hamasin në Gaza, Hezbollahun në Liban dhe Houthis në Jemen.