Një ngjarje e rëndë tronditi Ferizajn të hënën e 11 nëntorit, kur një person plagosi me thikë katër qytetarë kalimtarë të rastit, dy vajza të mitura dhe dy djem të rinj.
Naser Emini, anëtarë i familjes ku po qëndronin mysafire vajzat që u goditën me thikë dje, tregon detaje të reja nga ngjarja tronditëse se si ndodhi sulmi.
“Kjo është hapësira që kemi ne vëllezërit. Jemi 5 vëllezër. Njëri nga ta ka pasur mysafirë që kanë qenë nga Podujeva. Ishte nëna me 5 fëmijë. Mirëpo dy prej fëmijëve, njëra 10 vjeçe, tjetra 15, të dyja vajza kanë dalë për shëtitje. Në kthim, pikërisht në këtë vend janë goditur me thikë në kurriz. Ngjarja ka qenë shumë e rëndë. Lëndimet kanë qenë të rënda për të dyja. Për 10-vjeçaren ka qenë në pikëpyetje mbijetesa e saj. Pas operacionit na thanë se iku rreziku për jetën, por gjendja është ende e rëndë. I falënderoj qytetarët që kanë pasur një mirëkuptim në atë moment, sepse nga këtu deri te spitali është diku te një km. Kohën s’e kam matur, por e di që me një shpejtësi të jashtëzakonshme, kemi qenë dy vëllezër dhe nëna kemi shkuar drejt spitalit. Gjakderdhja ka qenë shumë e madhe. Në prehrin e vëllait gjaku rridhte. Ndërhyrja ka qenë shumë e shpejtë dhe veprimi i mjekëve ka qenë shumë i shpejtë”, tha ndër të tjera Emini.