Ministria e Mbrojtjes ka reaguar zyrtarisht lidhur me incidentin që ka ndodhur në uzinën ushtarake të Gramshit, ku dy ushtarë shqiptarë u sulmuan me lëndë djegëse nga 3 shtetas të huaj.
Ministria thotë se të huajt janë me pasaporta ruse dhe ukrainase. Ata janë ndaluar menjëherë dhe po merren në pyetje.
“Një incident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Uzinën ushtarake në Gramsh. Tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë.
Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Gjendja shëndetësore e dy ushtarakëve shqiptare është e stabilizuar.”