Rusia ka tundur themelet e rendit ndërkombëtar! Mëngjesin e sotëm forcat ruse kanë nisur një sulm të madh ushtarak në Ukrainë nga Donbasi. 7 persona kanë humbur jetën ndërsa 19 të tjerë janë raportuar të zhdukur deri më tani. Lajmin e bën me dije ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba. Përmes rrjeteve sociale ai thotë se Vladimir Putin, ka nisur ‘pushtimin’ e Ukrainës në shkallë të plotë. Sakaq, ministri i Jashtëm i Ukrainës thekson se do të mbrojnë veten ndërsa shton se bota mund dhe duhet ta ndalë Putinin që të sulmojë.
Shpërthime dhe të shtëna me armë u raportuan në Kiev dhe qytete të tjera. Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan pranë aeroportit kryesor “Boryspil” në Kiev, menjëherë pasi Rusia njoftoi për operacionin.
Nga ana tjetër, Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se ka nisur një operacion special për çmilitarizimin e Ukrainës. Presidenti Putin paralajmëroi se përgjigja e Moskës do të jetë “e menjëhershme” nëse dikush përpiqet të përballet me Rusinë. Ai u kërkoi ushtarëve ukrainas në Ukrainën lindore që të lënë armët dhe të kthehen në shtëpitë e tyre.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i bëri thirrje popullit rus që të ndalojnë presidentin Putin të pushtojë Ukrainën, ndërsa tha se qeveria ukrainase është për paqe. Presidenti i SHBA, Joe Biden, e dënoi operacionin, duke e cilësuar atë si një sulm “të paprovokuar dhe të pajustifikuar” ndaj Ukrainës dhe shtoi se bota “do ta mbajë Rusinë si përgjegjëse”. Ai tha se Rusia do të jetë përgjegjëse për “humbjet katastrofike të jetëve dhe vuajtjet njerëzore”.





