Turqia e dënoi ashpër sulmin tokësor të Izraelit në Liban, duke e përshkruar si “shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit”, dhe si një “përpjekje të paligjshme pushtimi” që duhet të përfundojë sa më parë.

“Kjo ofensivë duhet ndërprerë urgjentisht dhe trupat izraelite duhet të tërhiqen nga territori libanez”, thuhet në një deklaratë të ministrisë së jashtme turke.

“Kjo lëvizje ka të ngjarë të ndezë një valë të re emigracioni dhe t’u japë terren ekstremistëve në mbarë botën”, nënvizohet më tej.  “Të mos harrojmë se të tilla zhvillime do të prekin edhe vendet që i ofrojnë Izraelit mbështetje politike dhe armatime”, theksohet në tekst.

Në deklaratë i drejtohet gjithashtu një apel Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të “bëjë gjithë çfarë është e nevojshme” në përputhje me ligjin ndërkombëtar për të shtensionuar situatën. Kryeministri i Libanit Najib Mikati, u shpreh sot se vendi i tij po përballet me “një nga periudhat më të rrezikshme të historisë së vet”.

Emiratet e Bashkuara Arabe shprehën gjitashtu shqetësim për “pasojat e kësaj situate të rrezikshme dhe ndikimin në sigurinë rajonale”, ndërsa njoftuan ndarjen e një ndihme prej 100 milionë dollarësh. Ministria e Shëndetësisë e Libanit flet për më shumë se 1,000 të vrarë dhe 6,000 të plagosur në dy javët e fundit. Njoftimi nuk bën dallimin ndërmjet militantëve dhe civilëve.