Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të qeverisë që të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pasi vendi fshihet pas sulmit kibernetik që mbylli të gjitha shërbimet online më 15 korrik.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Basha thotë se sulmi kibernetik i Iranit kundër Shqipërisë tregon sërish rëndësinë jetike të aleancës së NATO-s për sigurinë në Shqipëri.

“Sulmi kibernetik i Iranit kundër Shqipërisë tregon sërish rëndësinë jetike të aleancës së NATO-s për sigurinë tonë. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e domosdoshme të SHBA-së dhe qëndrojmë së bashku me aleatët tanë të NATO-s për të kërkuar llogari Iranin për të parandaluar kërcënimet dhe veprimet kundër sigurisë sonë të përbashkët”, shkruan Basha bnë Twitter.

Nga ana tjetër, edhe Enkelejd Alibeaj ka reaguar për sulmin kibernetik me origjinë nga Irani.

Ai shkruan se Qeveria duhet të rrisë masat e sigurisë për të shmangur rrjedhjen e të dhënave nga e-Albania.

“Në emër të Grupit Parlamentar të PD-së dënoj ashpër sulmin kibernetik të Iranit ndaj Republikës së Shqipërisë.

Me këtë rast i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të rrisë masat e sigurisë për të shmangur ngjarje si ajo e rrjedhjes së të dhënave nga e-albania, duke e nxitur të bëjë investime serioze për sigurinë kibernetike.

Lidhur me zhvillimet e fundit, gjej rastin të falenderoj partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti SHBA-të për asistencën teknike dhe mbështetjen gjeostrategjike për Shqipërinë në identifikimin dhe në përballjen me sulmin kibernetik të orkestruar nga Irani”, shkruan Alibeaj.