Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj njofton se është shtyrë afati për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar.

Ibrahimaj në një status në rrjetet sociale shkruan se ky vendim u morr për shkak të sulmit kibernetik mbi e-Albania.

Afati për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar do të shtyhet për aq ditë sa nuk ka funksionuar portali qeveritar e-Albania.

Postimi i Plotë nga ministrja e Financave, Delia Ibrahimaj:

Njoftim për bizneset mbi afatin e depozitimit të pasqyrave finaciare.

Ministria e Financave dhe Ekonimisë njofton se, duke u nisur nga situata e krijuar ditët e fundit për arsye të mosfunksionimit të portalit qeveritar e-Albania, Qendra Kombëtare e Biznesit do të zbatojë parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative lidhur me afatin për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar.

Bazuar në nenin 54 të Kodit të Procedurave Administrative, afati për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar do të shtyhet për aq ditë sa nuk ka funksionuar portali qeveritar e-Albania.

Subjektet që nuk kanë aplikuar akoma për depozitimin e pasqyrave financiare do të rivendosen për depozitimin e tyre brenda periudhës së shtyrjes së afatit fillestar.