Hakerat që sulmuan faqen e Institutit të Statistikave kanë fshirë informacione në 6 kompjutera.

Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike njofton se nga sulmi kibernetik ndaj INSTAT u infektuan 40 kompjuterë, nga të cilët në 6 prej tyre u fshinë materialet në sistem.

Bëhet me dije se synimi i sulmit kibernetik ishte fshirja e të dhënave të sistemit.

Nga analiza e bërë prej Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike është arritur në konkluzionin se sulmi kibernetik ndaj INSTAT është bërë nga grupimi Homeland Justice, i sponsorizuar nga Irani.

NJOFTIMI I AUTORITETIT KOMBËTAR PËR CERTIFIKIMIN ELEKTRONIK DHE SIGURINË KIBERNETIKE:

Më datë 1 shkurt 2024, Instituti i Statistikave u përball me një sulm kibernetik që synonte infrastrukturën e tij teknologjike.

Në momentin e parë që AKCESK u vu në dijeni të sulmit, angazhoi menjëherë ekipin e Analizës së Sigurisë Kibernetike për të ofruar ndihmë në parandalimin dhe rimëkëmbjen e sistemeve të kësaj infrastrukture. Në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e INSTAT, AKCESK ka drejtuar procesin për disa ditë radhazi për të zbardhur dhe neutralizuar sulmin.

Pas ndihmës së AKCESK në parandalimin e përshkallëzimit të sulmit, ekspertet tanë bënë një skanim total të gjithë serverëve për të identifikuar kërcënime të mundshme dhe për të rivendosur të dhënat në serverët e prekur. Në të njëjtën kohë, po punojmë edhe në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, të cilët kanë ofruar ndihmë për të adresuar këtë situatë të ndërlikuar.

AKCESK ka koordinuar në kohë reale punën me të gjitha infrastrukturat e tjera kritike dhe të rëndësishme të vendit, duke monitoruar situatën dhe duke shkëmbyer detaje nga sulmi. Si rezultat i këtij bashkëpunimi të gjithanshëm, është arritur të parandalohen sulme të ngjashme në infrastruktura kritike të vendit, në këtë vazhdë sulmesh kibernetike.

Nga analiza e zhvilluar deri tani, është konfirmuar se sulmuesit përdorën skedarin MEK-DDMC.exe për të ekzekutuar një virus me përmbajtje keqdashëse. Ky sulm i njohur si Ëiper (Fshirës) kishte si qëllim fshirjen e të dhënave të sektorit Boot dhe prekjen e pajisjeve brenda Active Directory (AD).

Për hyrjen në sistem mendohet se është shfrytëzuar serveri Exchange për shkak të një versioni të pa përditësuar. Aktorët keqdashës arritën të tejkalonin privilegjet dhe të merrnin kontrollin e sistemit Active Directory dhe “Data Protection Manager”, duke shpërndarë virusin tek pajisjet dhe serverat në rrjet. Virusi i shpërndarë ka infektuar 40 kompjuterë, nga ku ka fshirë 6 prej tyre. Më pas virusi ka bërë fshirjen e serverit në të cilin kryheshin ekzekutimet e komandave. Pas kësaj, aktorët kanë humbur komunikimin me infrastrukturën.

Bazuar në informacionin e disponueshëm, aktorët që qëndrojnë pas këtij sulmi kibernetik janë identifikuar si “Homeland Justice”, një grup sulmi i sponsorizuar nga shteti iranian që ka kryer tashmë sulme të tjera në të kaluarën.

Sulmi kibernetik ndaj INSTAT-it thekson rëndësinë e një përgjigjeje proaktive dhe strategjike ndaj kërcënimeve të sofistikuara kibernetike.