TIRANE – Këshilli i Lartë i Drejtësisë, reagon pas aktit të rëndë të sulmit ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Mirela Mishgjoni.
Duke shprehur mbështetjen dhe solidaritetin ndaj saj dhe familjarëve të saj, KLD dënon me forcë aktin, duke premtuar zbardhjen e plotë të njgarjes dhe vënien para drejtësisë së autorëve.
“Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Z. Elvis Çefa, ka komunikuar me autoritetet kompetente të Rrethit të Vlorës dhe ka marrë garanci të plota prej tyre, për zbardhjen e rrethanave të ndodhjes së kësaj ngjarje dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë”, thuhet në deklaratë.
Në reagim theksohet se “Këshilli i Lartë i Drejtësisë shpreh mbështetjen për trupën gjyqësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, por dhe për trupën gjyqësore në tërësi, duke shprehur gatishmërinë për të rritur e garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e gjyqtarëve”.
Ngjarja e rëndë dhe e pazakontë ka ndodhur sot paradite, ndërsa mësohet se gjyqtares Mirela Mishgjoni i është hedhur acid sanitar në fytyrë e kraharor, nga një person ende i paidentifikuar.
Nga të dhënat e para bëhet me dije se gjyqtarja fillimisht i ka bërë rezistencë agresorit. Gjyqtarja Mishgjoni është dërguar për trajtim në spital dhe sipas mjekëve të spitalit të Vlorës ajo ka dëmtime në pjesën e majtë të fytyrës, në syrin e majtë dhe në gojë.
Policia e Vlorës ka nisur hetimet për ngjarjen e rëndë dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.





