Punonjësit e “Call Center”-it: Vilma, konflikt me një vajzë nga Vlora
29 gusht 2013-Menaxherja e kompanisë private “Call Center”, Vilma Dule, e cila u sulmua dy ditë më parë me acid në fytyrë, vazhdon që të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore. Mjekët bëjnë me dije se plagët e 27-vjeçares janë tepër serioze dhe me pasoja. E reja mbahet nën kujdesin intensiv të ekspertëve, por pavarësisht kësaj, ata thonë se fytyra e vajzës ka pësuar dëmtime të rënda dhe është mjaft e vështirë që ajo të kthehet në gjendjen e saj të mëparshme. Burime nga policia bëjnë me dije se pista e hetimeve vazhdon që të jetë ajo e konflikteve në punë të vajzës, e mbështetur edhe mbi dëshminë e saj para grupit hetimor. Mësohet se Vilma Dule ka pasur në varësinë e saj rreth 400 punonjës dhe gjatë ushtrimit të profesionit, është treguar e rreptë me ata, deri në shkarkim nga puna. Miq e të njohur të vajzës thonë se agresori mund të jetë urdhëruar nga një vajzë me origjinë nga Vlora, me të cilën Dule ka pasur konflikte të ashpra. Vajza nga Vlora ka punuar në kompaninë e 27-vjeçares, por është shkarkuar për arsye të paditura dhe gjatë momentit që është shkarkuar, mes tyre ka lindur një konflikt i ashpër. Gjithsesi kjo është ende një pistë e dyshuar, pasi Vilma Dule ka qenë konfliktuale me punonjësit e saj, duke bërë që problemet t’i ketë të shumta në karrierën. “Prej tre vjetësh, unë punoj si menaxhere në një kompani private ‘Call Center’ në Tiranë. Kam mbi varësinë time mbi 400 punonjës. Gjatë ushtrimit të profesionit, kam qenë pak e rreptë duke pasur debate në punë. Në disa raste kam hequr njerëz nga puna, kam vendosur gjoba etj. Dyshoj se ngjarja ka lidhje me ndonjë nga ata që kam pasur vartës. Personin që më sulmoi, nuk e njoh, por ai duhet të jetë futur nga dikush tjetër, por fytyrën ia kam fiksuar shumë mirë. Ai kishte trup të mesëm, ishte rreth 24-25 vjeç. Nuk ishte i maskuar dhe mbante veshur një palë pantallona të shkurtra dhe bluzë të shkurtër. Nuk më tha asnjë fjalë kur më sulmoi”, ka dëshmuar Dule në polici disa orë pas sulmit nga QSUT-ja ku ajo po mjekohet. Në cilësinë e të dyshuarve, policia ka shoqëruar rreth 14 persona, 11 ish-punonjës, 3 të tjerët që kanë pasur marrëdhënie miqësore, por më pas i ka lënë të lirë sepse nuk është provuar përfshirja e tyre në krimin makabër. Paraprakisht dyshohet që agresori të jetë shtyrë nga ndonjë person që Vilma Dule ka pasur konflikte në të shkuarën e saj. Në mënyrë kategorike, ajo mohon që sulmi me acid të jetë bërë për çështje pasioni, por pavarësisht kësaj, policia po e heton edhe këtë pistë. Ngjarja e pazakontë është shënuar mëngjesin e 27 gushtit, gjatë kohës që vajza ishte duke shkuar për në punë. Agresori ka ditur me përpikëri të gjitha lëvizjet e Dules. Sapo ajo është futur në një nga rrugicat përballë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë, për të dalë në rrugën kryesore ku jetonte me qira, agresori i është afruar, për t’i hedhur acidin në fytyrë. Personi ende i paidentifikuar nga policia, në momentin e sulmit, nuk ka qenë i maskuar dhe nuk i ka thënë asnjë fjalë. Pavarësisht kësaj, vajza pretendon se nuk e ka parë ndonjëherë në jetën e saj autorin e krimit. Sipas policisë, vitin e fundit Dule ka pasur konflikte mjaft të ashpra me punonjësit e saj. Madje ajo ka listuar para policisë emrat që dyshon se mund të jenë hakmarrë për shkarkimin nga puna. Pavarësisht hakmarrjes ekstreme, vajza nuk ka ditur t’i thotë grupit hetimor asnjë emër të saktë, të personit që mund të këtë urdhëruar krimin makabër. Në vitin 2013, vajza ka shkarkuar mbi 35 punonjës, ku pjesa më e madhe e tyre është larguar me protestë nga puna, pasi kanë pretenduar se vendimi i saj ka qenë i padrejtë.
/shqip/





