Drejtuesi i mjetit që goditi mbrëmjen e 18 shtatorit makinën e nëndrejtorit të policisë së Elbasanit ka dalë këtë të shtunë në gjykatë.

Në dëshminë përpara prokurorëve dhe togave të zeza, Enea Bekteshi ka pranuar se e drejtonte ai “Audi”-n e blinduar që përplasi makinën e nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit, por ka mohuar që të ketë pasur qëllime agresive në veprimet e tij.

Atë mbrëmje, Enea ka deklaruar se ishte i dehur dhe nën efektin e drogës.

 “Kam qenë shofer i “Audit A8”. Nuk kisha për qëllim të godisja mjetin e policisë. Nuk e kuptova se ajo që godita ishte makinë policie. U tremba nga të shtënat dhe doja vetëm të largohesha. Për pak gjë edhe mund të mos isha gjallë. Nëse makina nuk do të ishte e blinduar, do të kisha vdekur. Lënda narkotike e gjetur në shtëpinë e motrës më përket mua, jam përdorues prej 12 vitesh”, ka thënë ai në Gjykatë.

Pas dëshmisë së tij, trupi gjykues ka pranuar masën e propozuar nga prokurorët, “arrest me burg” për të dhe kunatin e tij Aleks Pupuleku, i përfshirë në ngjarje.