Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka bërë reagimin e parë nga qeveria për vendosjen dhe shpërthimin me tritol në makinën e kreut të PD-së në Vaun e Dejës, Bernard Ndreca.

Spiropali i kërkon organeve ligjzbatuese që të zbardhin sa më shpejt ngjarjen, ndërkohë që akuzat e demokratëve se ngjarja ishte sulm politik i quan kriminale.

Sipas Spiropalit, akuzuesit janë të njëjtët njerëz që në 2019-tës dogjën shkollën në Vaun e Dejës për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve.

Postimi i Spiropalit:

I kërkoj organeve ligjzbatuese të zbardhin urgjentisht aktin kriminal të vendosjes së tritolit në makinën e Z.Ndreca, në Vaun e Dejës.

Përgjegjësit duhet të marrin dënimin e merituar.

Ky është akti i dytë kriminal në pak muaj në këtë zonë, pas vendosjes së tritolit jashtë zyrave të OSHEE në Bushat.

Është për të ardhur keq që haxhiqamilisti i Vaut të Dejës, Zef Hila, bashkë me atë të Foltores me qera te Partia e Lirisë, Sali Berisha, nuk presin rezultatet e hetimit, por lëshojnë akuza kriminale ndaj kundërshtarit për të rritur kapitalin politik që tashmë u ka shterrur.

Janë të njëjtët njerëz që në 2019-ën në një akt barbar të pashembullt i vunë zjarrin shkollës në Bushat dhe dogjën materialet zgjedhore.

Për veprimin e tyre kriminal Zef Hila u shkarkua nga kryetar bashkie dhe zjarrëvënësit e tjerë u arrestuan. Fatkeqësisht, drejtësi për aktin nuk u bë. Dosja u mbyll.

E inkurajoj policinë dhe prokurorinë të mos stepen nga sulmet politike, por të bëjnë detyrën deri në zbardhjen e hollësishme të aktit të sotëm dhe vendosjen para drejtësisë të përgjegjësve.