Dorian Alia, 32-vjeçari që u vetëdorëzua pas sulmit të avokatit Sokol Mëngjesi ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij.

Alia ka pranuar që ka qenë pjesë e sherrit dhe ka goditur vetëm një herë avokatin me grusht.

I pyetur për mënyrën e organizimit të dhunës, Alia është shprehur se e kanë ndjekur prej disa ditësh avokatin. Autorët kanë qëndruar në kontakt me njëri-tjetrin për koordinimin e sulmit.

Sipas tij, ata nuk kanë pasur qëllim t’i shkaktojnë dëmtime të rënda. Organizator i këtij sulmi dyshohet të jetë Dritan Nano. 58-vjeçari është shoqëruar me iniciativë nga policia.

Ai nuk ka qenë shumë bashkëpunues, por ka pranuar konfliktin që ka pasur me avokatin.

Sipas policisë, Sokol Mëngjes u godit për shkak të detyrës. Ai ka përfaqësuar në një proces civil një familje që kishte trashëguar një pronë në Tiranë.

Procesi është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij. Por disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës me studion ligjore duke organizuar krimin.

Nga hetimet e kryera, policia dyshohet se autorët nuk kanë qenë të paguar, por janë lidhje e afërt e organizatorit të sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi.

Në lidhje me ngjarjen janë shpallur në kërkim Elton Kasaj e Drivald Alia që kanë marrë pjesë në sulm, si dhe Romario Tabaku, i cili ka ndihmuar autorët të largohen nga vendi i ngjarjes.

Si pasojë e goditjeve të forta, avokati Sokol Mëngjesi ndodhet në gjendje të rëndë në spital.