Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas sulmit mbi banesën e prindërve të gazetares Klodiana Lala.
Shefi i qeverisë, i pari që ka reaguar nga radhët e politikës, thotë se kjo ngjarje është e patolerueshme dhe se duhet zbardhur sa më parë. Ai shpreh mbështetjen për gazetaren.
“E patolerueshme barbaria mbi shtëpinë e gazetares Klodiana Lala! Ngjarja duhet zbardhur sa më parë dhe strukturat e shtetit janë të angazhuara maksimalisht. Mbështes e inkurajoj Klodianën në këtë moment kritik dhe pres me padurim ndëshkimin e keqbërësve”, shkruan Rama.
Banesa e prindërve të gazetares Klodiana Lala në në rrugën “Shkëndija” pranë Rinasit u sulmua me armë rreth orës 3 të natës nga persona ende të paidentifikuar. Në banesë ndodheshin 8 persona, përfshi fëmijët e gazetares. Ngjarja mund të kishte përfunduar në tragjedi, ndërsa dyshohet se sulmi ka ndodhur për shkak të detyrës.





