TURQI– Fraksioni turk i ekstremit të majtë, Fronti Revolucionar për Çlirimin e Popullit ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin ndaj ambasadës amerikane në Ankara ditën e premte. Grupi ka deklaruar se, akti i vetë-sakrifikimit ka goditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vend që e konsideron si “vrasës të popujve nëpër botë.”
“Luftëtari ynë Alisan Sanli kreu një akt vetë-sakrifikimi më 1 shkurt 2013, duke goditur ambasadën e SHBA-ve në Ankara, vend që vret popujt nëpër botë”,- ka deklaruar grupi përmes një njoftimi online.
Fraksioni terrorist, i njohur shkurt me inicialet DHKP-C, konsiderohet si një organizatë terroriste nga administrata amerikane dhe Evropa. Ai është fajësuar për një numër sulmesh që prej vitit 1970, përfshirë disa ndaj misioneve diplomatike amerikane.
Atentati i së premtes i mori jetën një roje sigurie të ambasadës, ndërtesë e ruajtur mirë, si dhe vetë atentatorit. Pas ngjarjes në fjalë, SHBA njoftuan qytetarët e tyre që të mos vizitojnë misionet diplomatike në Turqi deri në një urdhër të dytë.