Të paktën 37 persona humbën jetën në resortin turistik në Manila të Filipineve dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur, pasi u sulmuan nga një person i armatosur.

Një person i armatosur kishte hyrë në zonën e lojërave në resort, duke u vënë zjarrin disa tavolinave. Ai qëlloi me armë zjarri, por plumbat nuk iu drejtuan të pranishmëve në sallë. Mediet ndërkombëtare raportojnë se viktimat gjetën vdekjen si pasojë e asfiksisë nga tymi.

Autoritetet policore filipinase kanë përjashtuar mundësinë për sulm terrorist të lidhur me ISIS-in, pasi asnjë nga viktimat nuk ka plagë me armë zjarri në trup. Sipas tyre, bëhet fjalë për një grabitje të dështuar me armë. Policia në qëndrimin e saj zyrtar, tha se agresori kishte vepruar i vetëm dhe se nuk ka lidhje me Shtetin Islamik.

Sulmi u regjistrua pak pas mesnatës, me orën lokale. Kompleksi turistik “World Manila”, më i madhi në Filipine, përfshin katër hotele, kazino, restorante, bare, klube, kinema dhe teatro.