Rritet bilanci i viktimave nga sulmi i përgjakshëm në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg të Gjermanisë. Mediat e huaja bëjnë me dije se një 52-vjeçare e cila ishte shtruar në spital ka ndërruar jetë, duke çuar numrin e viktimave në 6.

Në sulmin e kryer më parë ndaj tregut të Krishtlindjeve humbën jetën 5 persona, përfshirë një fëmijë 9-vjeç ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën.

Më 22 dhjetor u arrestua Taleb Al-Abdulmohsen, një mjek me origjinë nga Arabia Saudite i cili u ndalua pas sulmit.

Si ndodhi ngjarja?

Incidenti ndodhi pak pas orës 19:00, kur një BMW e zezë, e marrë me qira, përplasi turmën në tregun e Krishtlindjeve, duke përshkuar një distancë prej 400 metrash. Sipas policisë, tregu u evakuua menjëherë dhe zona mbeti e mbyllur për hetime.

Shoferi i automjetit, një mjek 50-vjeçar nga Arabia Saudite i identifikuar si Taleb A., u arrestua në vendngjarje. Taleb A. ka jetuar në Gjermani që prej vitit 2006 dhe ka marrë statusin e azilantit politik në vitin 2016.

I dyshuari dhe hetimet

Autoritetet nuk kanë ende një motiv të qartë për sulmin. Taleb A. nuk kishte një histori të mëparshme si ekstremist, por analizat e deklaratave të tij në rrjetet sociale sugjerojnë një qëndrim kritik ndaj islamit dhe shqetësime për islamizimin e Gjermanisë. Në postimet e tij, ai e përshkruante veten si një “kritik agresiv i islamit.”

Hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar nëse incidenti ishte i qëllimshëm apo rezultat i ndonjë rrethane tjetër.

Reagime ndërkombëtare

Ngjarja ka shkaktuar tronditje edhe përtej kufijve të Gjermanisë. Presidenti francez Emmanuel Macron shprehu solidaritetin e tij, duke theksuar se “Franca ndan dhimbjen me popullin gjerman.”

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e dënoi aktin si “brutal dhe frikacak,” ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i përcolli ngushëllimet e tij Kancelarit Scholz. Arabia Saudite gjithashtu dënoi aktin dhe shprehu mbështetjen e saj për Gjermaninë dhe familjet e viktimave.