Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan deklaroi se qeveria siriane do ta paguajë “shumë shtrenjtë” sulmin ndaj trupave turke në rajonin e Idlibit në Siri, ku 13 ushtarë janë vrarë brenda pak më shumë se një jave.
Në Ankara, bisedimet mes Turqisë dhe Rusisë përfunduan pa një marrëveshje, për ndalimin e luftimeve ndërmjet forcave të presidentit Bashal-al Assad dhe rebelëve anti-qeveritarë.
Turqia përkrah forcat rebele, ndërsa Rusia mbështet presidentin, Bashar al-Asad. Forcat qeveritare siriane po bëjnë përpjekje për të kthyer kontrollin në rajonin e Idlibit dhe disa pjesë të Alepos.
Këto rajone janë territoret e fundit të kontrolluara ende nga rebelët anti-qeveritarë. Ankaraja ka dërguar me mijëra ushtarë për të frenuar ofensivën siriane. Në qytetin e Nairabit, rebelët sirianë të mbështetur nga Turqia, rrëzuan një helikopter që besohet se i përket regjimit sirian.
Ofensiva e forcave të Asadit në Idlib ka shkaktuar zhvendosjen e rreth 700.000 njerëzve nga shtëpitë e tyre. Shumica e të shpërngulurve janë gra dhe fëmijë. Në Turqi gjenden rreth 3.5 milionë refugjatë sirianë. Ankaraja druhet se mund të ndodhë një fluks tjetër refugjatësh pas përshkallëzimit të dhunës në Idlib.





