Presidenti Bajram Begaj shprehu solidaritet për popullin dhe qeverinë turke pas sulmit terrorist në Ankara këtë të diel. Sipas kreut të shtetit, akte të tilla terroriste janë qasje e një bote të vjetëruar dhe që vbie ndesh me parimet dhe vlerat e botës moderne.
“Ndaj shqetësimin e madh për aktin terrorist të ndodhur në rrethinat e Parlamentit turk në Ankara ditën e sotme, kur për pasojë pati disa të plagosur nga radhët e forcave të policisë turke. Shpreh solidaritetin tim të palëkundur me popullin dhe qeverinë turke për dënimin me forcë të akteve terroriste të të gjitha formave, të cilat sjellin shqetësim dhe kaos për rendin dhe qetësinë qytetare e më gjerë. Akte të tilla terroriste janë qasje të një bote të vjetëruar dhe bien ndesh me parimet dhe vlerat e botës moderne”, tha Begaj.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama e konsideroi një akt të neveritshëm sulmin terrorist në Ankara. Në një reagim në rrjetet sociale, thotë se Shqipëria e dënon ashpër dhe i qëndron afër Turqisë në këtë moment delikat.
Kjo ngjarje është dënuar dhe nga ministria e Punëve të Jashtme. Ministri Igli Hasani, thotë se Shqipëria dënon aktet e terrorizmit dhe shpreh mbështetje të plotë për shtetin turk.