Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë në një konferencë për mediat.

Gjatë fjalës së tij, ai akuzoi kryeministrin Rama si bashkëpunëtor të Aleksandër Vuçiç në skenarin e parapërgatitur për sulmin në veri të Kosovës.

“Në këtë situatë suicidi politik të Edi Ramës, ai është bërë shumë i rrezikshëm për rajonin. Shumë i rrezikshëm për Shqipërinë.

Skenari, akti terrorist që kryen falangat terroriste në Banjskë të Zveçanit, kishte një begraund të parapërgatitur nga Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç.

Burimet nga Kombet e Bashkuara, bëjnë me dije se në sallat e kësaj selie, në një takim jopublik, dy kryeministrat, përveç atij të Serbisë, kanë paraqitur kërkesa që komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, të vendosen nën kontrollin e KFOR-it.

Pse del Edi Rama, thoni ju? Edi Rama del se me datën 24 shtator, në orën 11, sapo u mor vesh vrasja e policit në krye të detyrës, Edi Rama vrapoi me të madhe të kërkojë konferencën ndërkombëtare për Kosovën.

Tezë kjo e diskutuar dhe sugjeruar edhe në këtë mbledhje.

Kërkesë kjo e paraqitur direkt nga Aleksandër Vuçiç, kërkesë kjo e paraqitur nga terroristët e Listës Serbe, para Edi Ramës”, ka thënë Berisha.