Ka shkuar në 22 bilanci i viktimave nga shpërthimi në Mançestër, ku mes viktimave ka edhe fëmijë, ndërsa raportohet edhe për 59 të plagosur.
Shpërthimi i fuqishëm ndodhi në orën 22:35 në “Manchester Arena”, ku ishte duke u mbajtur koncerti i këngëtares amerikane Ariana Grande.
Ende nuk dihen saktësisht shkaqet e shpërthimit, ndërkohë që autoritetet vendase po hytojnë mbi dyshimet e një sulmi terrorist.
Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May ka thënë se autoritetet janë duke punuar për të kuptuar detajet e kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur mbarë Evropën.
Dëshmitarët kanë thënë se kanë dëgjuar një shpërthim të fuqishëm teksa njerëzit ishin duke u larguar nga “Manchester Arena”, ku këngëtarja Ariana Grande kishte mbajtur koncert. “Të gjithë filluan të vrapojnë dhe të ulërasin”, tregoi një dëshmitar okular. Shumica e viktimave janë vajza, adhuruese të yllit amerikan.
Nëse konfirmohet se ky është sulm terrorist, atëherë do të ishte sulmi më vdekjeprurës në Britani, që prej 7 korrikut të vitit 2005, kur katër myslimanë nga Britania, përmes sulmeve vetëvrasëse me bomba, vranë 52 persona në sistemin e transportit të Londrës.