GREQI– Sulme te koordinuara dhe zjarrvënie kanë ndodhur gjatë orëve të natës së kaluar në Greqi, në shtëpitë e 5 gazetarëve. 

Persona të paidentifikuar kanë vendosur nga 2 bombola gazi në shtëpitë e 5 gazetarëve të njohur, nga aktivizimi i të cilave, fatmirësisht nuk ka patur viktima, por dëme të shumta materiale. 

Shpërthimet kanë ndodhur në shtëpitë e gazetarëve Jorgos Ekonomu, Antonis Liaru, Petros Karsioti, A. Skilaku dhe Kristos Konstans, në Alimos, Shën Parasqevi, Likavitu, Penteli dhe Marusi. Gazetarët punojnë në TV Mega, Alfa TV, ndërsa njëri është drejtor i Agjencisë shtetërore të lajmeve. 

Sulmet ndodhën në pak minuta njëri pas tjetrit, gjë që përforcon pistën, se ato ishin rezultat i një plani të koordinuar. 

Çështjen e ka marrë në dorë antiterrori, që po heton për zbardhjen e sulmeve mbi shtëpitë e gazetarëve, ndërkohë që ka patur reagime mbi këtë ngjarje të rëndë. 

SYRIZA deklaroi se "kjo është një tentativë e terrorizmit në hapësirën e hapur të mediave që është zona jetike e vendit". 

Nga ana e tij gazetari Jorgo Ekonomu tha pas ngjarjes se ishte fat që nga shpërthimet nuk u vra askush. “Ajo që më tmerron është fakti, se ka njerëz që mendojnë këtë dhe mund të vrasin të tjerë të pafajshëm”,- tha ai në TV Mega.

                             Marre nga Balkanweb