5 mars 2015 – Ambasadori amerikan 42-vjeçar në Korenë e Jugut ka mbetur i plagosur pas një sulmi me një mjet të mprehtë. 

Sulmi ndaj ambasadorit Mark Lippert ndodhi mëngjesin e së mërkurës, para një takimi që ai kishte në kryeqytet. Ngjarja është konfirmuar nga zyrtarët koreanë, ndërsa mediat koreane publikuan foto dhe video të ambasadorit, i cili pati gjakderdhje në fytyrë dhe në dorë. Lippert-I u dërgua menjëherë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme dhe sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, ai nuk ka asnjë rrezik për jetën.

Ndërkohë, autoritetet vendase kanë bërë të ditur se autori i kësaj ngjarjeje është një 55-vjeçar, i cili është arrestuar nga oficerët e sigurisë. 

Autori i sulmit ka hyrë në sallën ku do të mbahej konferenca dhe ka bërtitur: "Koreja e Jugut dhe Koreja e Veriut duhet të ribashkohen” dhe më pas ka sulmuar ambasadorin.  Gjithashtu ai ka shprehur pakënaqësitë e tij edhe ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të zhvilluara nga Koreja e Jugut dhe SHBA-ja, të cilat janë duke u zhvilluar aktualisht.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara e uroj zotin Lipper për një shërim sa më të shpejtë, ndërkohë që Departamenti Amerikan i Shtetit dënoi sulmin.