Diplomati i njohur shqiptar, Shaban Murati ka folur sot për një familje të njohur të ish-Bllokut që sipas tij, po qarkullon paratë dhe tenderat midis pozitës dhe opozitës.
Murati thekson se kjo mënyrë e të vepruarit tregon shumë qartë se si funksionon Katovica në Shqipëri.
“Ata, që nuk e kanë kuptuar ende si funksionon Katovica në Shqipëri, mjafton të shohin sot në skenën politike të Tiranës një familje të njohur të ish-Bllokut, ku njëri vëlla i bën projekte kryeministrit të opozitës, kurse vëllai tjetër i bën projekte kryeministrit të pozitës, xhaxhai i ulet në prehër kryeministrit të opozitës, kurse nipi i ulet në prehër kryeministrit të pozitës. Paratë dhe tenderat qarkullojnë në rrugën dykalimshe pozitë-opozitë dhe përfundojnë në Bllok. Edhe Katovicën Shqipëria e ka karikaturë”, shkruan Shaban Murati.
Ndonëse nuk përmend emra, Murati dukshëm i referohet akademikut Artan Fuga dhe nipit të tij Endri Fuga, i cili është këshilltar i kryeministrit Edi Rama, kur shprehet se: “xhaxhai i ulet në prehër kryeministrit të opozitës, kurse nipi i ulet në prehër kryeministrit të pozitës”.
Fundjavën e kaluar pati një përplasje mes Artan Fugës dhe gazetës “Mapo” për këtë çështje, pasi në artikull dilte në pah roli që xhaxhai (Artan Fuga) dhe nipi (Endri Fuga) po marrin në artikulimin e kreut të opozitës Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama.





