Senatorja e Berlinit dhe ish-kryetarja e bashkisë Franziska Giffay u sulmua nga një burrë që e goditi me një objekt të fortë brenda një biblioteke lokale, tha policia të mërkurën. Ky është rasti i fundit në një seri sulmesh kundër politikanëve gjermanë.
Gifai, ministre e Ekonomisë e qeverisë lokale dhe një anëtare e Partisë Social Demokrate të kancelarit Olaf Scholz, u plagos lehtë në sulm, tha policia dhe zyra e prokurorisë lokale.
Në njoftim thuhet se një burrë e ka goditur atë në kokë dhe qafë me një çantë që kishte diçka të fortë dhe më pas është larguar me vrap. Në deklaratë shtohet se Gifai u dërgua në spital për një kohë të shkurtër për të trajtuar dhimbjet.
Incidenti vjen pas thirrjeve për mbrojtje më të madhe policore për politikanët në Gjermani pas një sërë sulmesh verbale dhe fizike ndaj politikanëve të rangut të lartë.
Katër adoleshentë janë duke u marrë në pyetje pasi një eurodeputet gjerman u rrah dhe u shtrua në spital teksa po vendoste postera të fushatës në Dresden, Gjermaninë Lindore.
Anëtarët e shquar të të Gjelbërve, partia në koalicion me socialdemokratët e Scholz-it në nivel federal, janë përballur gjithashtu me protesta të zemëruara këtë vit ndërsa Gjermania mban një seri zgjedhjesh lokale mes mbështetjes në rritje për të djathtën ekstreme.