Ndërprerja e kampionatit i ka shërbyer më së miri ekipit të Teutës. Në radhë është ndeshja ndaj Skënderbeut në mesjavë në orën 17:00. Sulmuesi i Teutës, Muço Boçi, i cili ka analizuar këtë takim. Boçi shprehet se Teuta pas disa javësh pa fitore ndaj Skënderbeut do të kërkojë tri pikët. Lojtari i bluve shprehet se në këto momente s’do parë renditja, por duhet të merren ndeshjet një e nga një. Boçi thotë se llogaritë do të bëhen në fund dhe është i bindur se Teuta do të shpëtojë.
Rikthehet kampionati pas një jave për Teutën, ku luani përballë Skënderbeut. Çfarë prisni nga kjo lojë?
Pres vetëm që të fitojmë dhe të bëjmë një ndeshje të mirë. Duhet të rikthehemi te fitorja dhe të kemi vazhdimësi të rezultateve të mira.
Si po e përgatisin këtë ndeshje?
Si për çdo ndeshje. Kujdesi për aspektin mbrojtës dhe atë sulmues. Normalisht që për të fituar duhen bërë gjërat e duhura. Personalisht jam gati.
Duke qenë se keni pësuar shumë gola në 30 javë, a do të ishit i kënaqur me një fitore apo barazim pa pësuar gol?
Unë do të isha i kënaqur të bënim një ndeshje të mirë dhe të fitonim. Rëndësi ka që të shënojmë gola, edhe pse dihet që është një ndeshje që specifikën e saj. Gjithsesi, e rëndësishme është fitorja. Normale që gjëja më e mirë do të ishte sikur të triumfonim pa pësuar gol, por në futboll ndodh edhe që të pësosh. Është një takim i fortë që pritet çfarëdolloj rezultati.
Kujt i bëjnë më shumë punë pikët?
Nuk dua të mendoj për kundërshtarin, pasi asnjëherë nuk e kemi bërë një gjë të tillë. Ne mendojmë vetëm për veten tonë dhe kjo na ka bërë të ecim përpara. Na nevojitet mjaft ky trepikësh, pasi duam të ngjisim shkallët në renditje. Vendi ku jemi në kampionat nuk i shkon për shtat Teutës.
Pas 30 javësh, cili është kundërshtari që do ta quanit më të fortë?
Sigurisht që këto 30 javë skuadrat janë në një nivel dhe do të luftojnë me njëra-tjetrën. Është kampionat i balancuar dhe do të triumfojë ai që do ketë formën më të mirë. Por 3-4 skuadra do të luftojnë së bashku.