Pas fitores në Laç, skuadra e drejtuar nga Gugash Magani ka pushuar e qetë në ditën e verës. Ai që vulosi triumfin në transfertë ishte pikërisht i biri i trajnerit të Teutës. Sulmuesi Artur Magani është i lumtur që u rikthye te goli, ndërsa beson se skuadra është në rrugën e duhur për të arritur synimet.
“Arritëm një fitore shumë të rëndësishme në Laç dhe mendoj se kemi bindur edhe me lojë. Ishte një ndeshje kyçe për ecurinë tonë pas atij hapi të gabuar ndaj Skënderbeut, ku në fakt meritonim të dilnim me pikë nga Korça. Tri pikët në një fushë të vështirë si ajo e Laçit na mbushin me besim për vazhdimësinë.Tashmë kemi më shumë vetëbesim për vendin e tretë”, ka thënë fillimisht Magani.
Sulmuesi peqinas ndalet edhe te goli që shënoi, i cili ishte i gjashti për të në këtë kampionat me fanellën e Teutës.“Jam shumë i lumtur që realizova dhe pa dyshim që ky gol shkon për trajnerin. Them kështu, sepse kur luajmë apo kur jemi në stërvitje, nuk më konsideron si djalin e vet, por si një prej lojtarëve të ekipit. Besimi, vullneti dhe serioziteti që tregon në çdo seancë apo ndeshje me të gjithë lojtarët, e bëjnë dhe më të bukur punën me të.Shumë takime i kam nisur nga stoli dhe kjo tregon se babai im hedh në fushë atë lojtar që është më në formë. Mirëmenaxhimi që po i bëhet ekipit dhe dhënia e mundë- sisë së lojtarëve të rinj, mendoj se po japin fryte te Teuta”, shtoi peqinasi i sulmit të Teutës, i cili në fund ndalet edhe te ndeshja e radhës me Partizanin.
“Fatmirësisht luajmë në Durrës përballë tifozërisë sonë. Është ndeshje që ka emocion, grintë dhe përplasje. U kërkoj tifozëve të jenë sa më të shumtë, pasi nuk i zhgënjejmë”, përfundoi Magani.