Një “super-stuhi” diellore mund të përplaset në satelitët komunikues të Tokës, të shkaktojë mungesë të rrezikshme të energjisë në rrjetin kombëtar dhe të shkatërrojë ndihmat madhore të navigacionit të aeroplanëve, thuhet në një raport, shkruan në fillim të artikullit, e përditshmja londineze ”Independent”.
Është e pashmangshme që një stuhi ekstreme diellore – e shkaktuar nga shkëputja e miliarda tonelatave të materies me energji të madhe të Diellit, që lëvizin me shpejtësi prej një milion miljesh në orë – do ta godasë Tokën, një kohë në të ardhmen e afërt, por është e pamundur të parashihet më tepër se 30 minuta para se aktualisht të ndodhë, ka tërhequr vërejtjen një ekip i inxhinierëve.
Vlerësohet se super-stuhitë diellore ndodhin një herë në 100 ose 200 vjet, ndërsa një stuhi e fundit e këtillë e ka goditur Tokën në vitin 1859, shkruan e përditshmja londineze “Independent” dhe shton se inxhinierët thonë se megjithëqë asgjë nuk ka ndodhur në vitet e gjithësisë, ne jemi shumë më tepër të ndjeshëm tash sesa para një shekulli, për shkak të pranisë gjithëpërfshirëse të elektronikës moderne.
“Konsensusi i përgjithshëm është se super-stuhia diellore është e pashmangshme, pra është çështja vetëm se kur do të ndodhë”, thuhet në raportin e një grupi të ekspertëve të Akademisë Mbretërore të Inxhinierisë në Londër, lidhur me motin ekstrem të gjithësisë, transmeton gazeta “Independent”.
Në gjysmëshekullin e kaluar, ka pasur një numër të “shmangieve nga caku”, kur një eksplodim “masiv i shkëputjes në formë kurore” i materies energjetike nga Dielli është përhapur në gjithësi, duke e anashkaluar për pak Tokën.
Në vitin 1989, një stuhi relativisht e vogël diellore ka goditur disa transformatorë kryesorë elektrikë në rrjetin kombëtar të Kanadasë, duke shkaktuar mungesë të madhe të rrymës elektrike.
Stuhi të ngjashme diellore në mënyrë domethënëse e kanë rritur nivelin e rrezatimit në vitet 1956, 1972, 1989 dhe në vitin 2003, kanë shkruar ekspertët në raportin e tyre.
Profesori Paul Cannon, i cili ka kryesuar grupin punues të Akademisë për stuhitë diellore, tha se qeveritë duhet t’i formojnë bordet e motit të gjithësisë për të mbikëqyrur masat që synojnë minimizimin e ndikimeve të stuhive diellore, shkruan “Independent”. “Një stuhi diellore do të jetë sfidë, por jo kataklizëm. Dy sfida për qeveritë janë, spektri i gjerë i teknologjisë i prekur sot dhe emergjenca e ndjeshmërisë së papritur derisa teknologjia zhvillohet”, – tha ai.
“Mesazhi ynë është: Mos bëni panik, por përgatituni. Stuhia diellore do të ndodhë një ditë dhe ne duhet të jemi të gatshëm për të”, – tha Paul Cannon dhe shtoi se “tashmë janë ndërmarrë shumë hapa për ta minimizuar ndikimin e stuhive diellore në teknologjinë aktuale… Ne vlerësojmë se Mbretëria e Bashkuar edhe më tutje do ta minimizojë ndikimin”.
Stuhitë diellore e godasin Tokën pothuajse rregullisht, por këto janë shumë më të vogla sesa goditja e vitit 1859, që është emëruar sipas astronomit britanik, Richard Carrington, si super-stuhia e fundit diellore e vërtetë.
Një zhvillim i ngjashëm sot do të ndikojë në mënyrë shkatërruese në rrjetin elektrik, ku transformatorët janë veçanërisht të ndjeshëm, pastaj do të ndodhë degradimi i aktivitetit të satelitëve, navigacioni GPS, aviacioni dhe me gjasë rrjeti mobil telefonik, veçanërisht rrjeti i ri 4G, që varet nga satelitët e GPS-it. “Satelitët janë sigurisht në linjën e parë të super-stuhisë. Ata janë pjesë e infrastrukturës sonë dhe ne kemi shqetësime lidhur me mbijetesën e tyre në super-stuhinë diellore”, – thotë Keith Ryden, inxhinier i Gjithësisë në universitetin “Surrey”, shkruan në fund të artikullit, e përditshmja londineze “Independent”.