Hong Kongu dhe provinca Guangdong në Kinë po përgatiten për goditjen e supertajfunit “Ragasa”, stuhisë më të fortë të këtij viti, e cila tashmë ka shkaktuar dëme të mëdha në Filipine dhe ka evakuuar mijëra njerëz.

“Ragasa”, me erëra të fuqishme dhe reshje ekstreme, pritet të arrijë në brigjet kineze të mërkurën, duke kërcënuar miliona njerëz në Hong Kong, Shenzhen dhe rajonet përreth.

Autoritetet në Hong Kong kanë rritur nivelin e paralajmërimit për tajfun në Numrin 8, vetëm dy nivele më poshtë nga maksimumi i mundshëm. Kjo tregon për erëra të forta me shpejtësi mbi 63 km/orë, me potencial për përkeqësim të mëtejshëm.

Si pjesë e masave parandaluese:

Shkollat dhe disa biznese janë mbyllur,
Raftet e supermarketeve janë boshatisur, ndërsa qytetarët janë përgatitur për izolim,
Aeroporti Ndërkombëtar i Hong Kongut ka paralajmëruar ndërprerje të mëdha të fluturimeve duke filluar nga ora 18:00 e së martës,
Më shumë se 500 fluturime të kompanisë Cathay Pacific pritet të anulohen,
Hong Kong Airlines ka pezulluar nisjet nga qyteti.
Edhe transporti publik do të reduktohet në orët në vijim, duke shtuar ndjeshëm pasigurinë dhe paralizën e qytetit.