Tiranë, 30 korrik 2014 – Prokuroria e Tiranës ka përqëndruar hetimet tek pamjet filmike të 2 viteve të fundit për të zbardhur mekanizmin e vjedhjes dhe personave të tjerë të implikuar
Prokuroria e Tiranës ka bllokuar gjitha pamjet filmike të xhirurara nga kamerat e sigurisë në Magazinën e Vlerës në Linzë nga ku u vodhën mbi 600 milionë lekë të reja.
Burime nga organi i akuzës thanë se grupi hetimor ka bllokuar ditën e djeshme të gjitha pamjet filmike të dy viteve të fundit të cilat pritet të zbardhin mekanizmin e vjedhjes. Grupi hetimor ka përqëndruar hetimet tek kamerat e sigurisë për të verifikuar nëse i akuzuari, Ardian Bitraj ka pasur bashkëpunëtor në vjedhjen e shumës marramendëse.
“Do të verifikohen të gjitha pamjet filmike, jashtë dhe brenda Magazinës së Vlerës në Linzë, për të zbardhur mënyrën e vjedhjes së parave si dhe për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm të Bitraj” thanë burimet nga prokuroria.
Organi i akuzës ka nisur verifikimin e pasurive dhe llogarive bankare të familjarëve të afërt të dy të arrestuarve, për vjedhjen e thesarit të Bankës së Shqipërisë.
Burime nga prokuroria thanë se do të verifikohen pasuritë e familjarëve dhe të afërmve të dy punonjësve të arrestuar, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruza.
Mësohet se janë 20 familjarë që po verifikohen nga prokuroria edhe për llogari në bankat e nivelit të dytë dhe që janë prindër, vëllezër, motra, kushërinj të parë, apo edhe të afërm të të arrestuarve.
Ndërkohë që prokuroria ka hartuar një listë me emra të cilët do të merren në pyetje mes të cilëve janë drejtues të bankës si dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





