Ishte 25 nëntori i 2012- ës, kur Teuta mundej për herë të fundit në kampionat. Atëherë ishte goli i Valdano Nimanit, shënuar në minutën e 9-të, që i jepte fitoren Laçit. Nga ajo ndeshje e javës së 12-të, durrsakët nuk dinin ç’do të thotë të humbësh. U desh një Vllazni cinike, e mirëvendosur në fushën e lojës, me një plejadë të rinjsh, ku spikatën mesfushorët Kruja dhe Bardulla, si dhe dy penallti të kthyer me mjeshtëri në gola nga i përhershmi Dritan Smajli, që Teuta e Gugash Maganit të ndalej më në fund edhe në kampionat. Mirëpo, përtej humbjes në Shkodër, ajo çka vret më shumë është fakti se pas kësaj jave “djemtë e detit” humbasin vendin e tyre në renditje në favor të Kukësit dhe, për më tepër, zhvilluan ndoshta një nga ndeshjet më të dobëta, të paktën për fazën e dytë (vetëm një gjuajtje të rrezikshme drejt portës së Vujadinoviçit në 90 minuta lojë). Nga ana tjetër fiton Vllaznia, e cila, edhe pse ka deklaruar se nuk pretendon më Kupat e Europës, prandaj normalisht nuk kishte ndonjë motivim të madh, përsëri dje tregoi se është ajo “Zonja” që njohim, e cila qëndron larg pazareve (me shpresën se kështu do të jetë deri në fund) të zakonshme të javëve të fundit të sezonit.

VLLAZNIA-TEUTA  2-0 

GOLAT: Smajli 41′ (p), 45+2′ (p) 
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Smajli, Beqiri, Belisha, A.Marku, Tafili, Bardulla (Dema 90′), Kruja, Shtubina (Guri 82′), Hajdari, Rexha (Gjini 76′). Trajner: Artan Bushati 
TEUTA: Rizvani, Sheta, Sakaj, Osmani, K.Marku (A.Hoxha 46′), Veliaj (Çyrbja 46′), Tahiri, Nika (Pajaziti 62′), Hodo, Mancaku, D.Xhafaj. Trajner: Gugash Magani 
KARTONË TË VERDHË: Shtubina 17′, Tafili 45′/ Nika 24′, Rizvani 45+1′, A.Hoxha 60′ DELEGAT: Besnik Çela 
VËZHGUES: Sami Elezi 
GJYQTARET: Bardhyl Pashaj/ E.Barushi dhe G.Qirici

MINUTAT

1′ Belisha kroson në zonë pas një goditjeje dënimi, Rexha gjuan me kokë, por jashtë. 

18′ Kruja gjuan fluturimthi në hyrje të zonës durrsake, por jashtë.

27′ Bardulla provon nga jashtë zone, por pret Rizvani në pozicion. 
31′ Xhafaj ekzekuton një goditje dënimi për Teutën nga e djathta e sulmit, rreh 20 metra, grushton Vujadinoviç. 
39′ Hajdari nga e majta pason në zonë për Shtubinën, ky gati te pika e penalltisë, gjuan, por çuditërisht jashtë. 
40′ Shtubina shpërthen në krahun e djathë të sulmit, futet në zonë, aty ku e pengon Sheta, arbitri akordon penallti. 
41′ Smajli gjuan nga pika e bardhë, 1-0. 
45+1′ Rexha shmanget bukur në hyrje të zonës, futet brenda, ballë për ballë me portierin Rizvani, e shmang edhe atë, por ai e rrëzon në tokë dhe arbitri akordon penallti. 
45+2′ Gjuan sërish Smajli, 2-0. 
50′ Beqiri ekzekuton një goditje dënimi nga e majta e sulmit, pret në pozicion Rizvani. 
54′ Rexha ballë për ballë me portierin tenton të gjejë cepin më të largët, por topi vetëm sa qeth shtyllën pingule. 
77′, Hajdari pason bukur në hyrje të zonës për Shtubinën, ky përballë portierit heziton dhe aty vjen Osmani, që i largon topin. 
90+4′ Dema gjuan nga larg, grushton Rizvani.

Pajaziti: “Gabuam, por s’rrezikojmë asgjë” 

Sedat Pajaziti, zv.trajneri i Teutës, në përfundim të takimit, në një deklaratë të dhënë pas ndeshjes, ka analizuar lojën dhe humbjen. “Erdhëm për ta fituar këtë takim, por e kundërta ndodhi. Ndoshta lojtarët e kishin marrë lehtë, ndoshta nuk ishin të përqendruar sa duhet, por rezultati ishte pikërisht ky. E humbëm këtë sfidë, ndonëse nuk e prisnim. Sa i përket gjykimit, nuk do të doja të komentoja asgjë. Le t’i lemë arbitrat të bëjnë punën e tyre. Në letër kalendari na favorizon, por çdo takim duhet vlerësuar me seriozitet, sepse mund të ndodhë si në Shkodër, që u befasuam”, – tha ai. Ndeshja e fundit që Teuta ka pësuar dy gola në një pjesë loje, daton më 20 shtator kundër Luftëtarit, kur humbi 4-1. “Magani do një ekip sulmues, por pa anashkaluar dhe mbrojtjen. Gjithsesi, pas penalltisë së parë të kontestuar nga ana jonë, lojtarët sikur u demoralizuan dhe kjo solli edhe shpërqendrimin dhe pësuam golin e dytë”, – përfundoi Pajaziti.
Ndërkohë, Gugash Magani ka qenë tejet i mërzitur nga humbja e pësuar dje në Shkodër. Trajneri i Teutës në fund të takimit nuk ka pranuar të flasë, duke kërkuar mirëkuptimin e mediave, pasi ishte i mërzitur. Kjo është humbja e parë e trajnerit peqinas që pas marrjes së pankinës durrsake. Tashmë ekipi i tij renditet në vendin e tretë, ndonëse nuk e komprometon objektivin për të zënë një vend që të çon në Kupat e Europës.

/Panorama Sport/