Tiranë, 2 mars 2014– Policia e Shtetit ka nisur sot një superoperacion të shtrirë në qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Fier ku janë angazhuar 640 forca policore. Policia njoftonsse që prej mëngjesit të ditës së sotme, ka vënë në zbatim një plan masash me objekt kontrollin e ambienteve dhe personave të evidentuar për krime të rënda, armëmbajtje pa leje dhe të dyshuar për vepra penale lidhur me eksplozivët. Në kuadër të këtij operacioni, deri në këto momente nga strukturat e Policisë së Shtetit është ushtruar kontroll në 164 ambiente të ndryshme, si dhe janë shoqëruar në ambientet e policisë për veprime të mëtejshme 49 persona. Aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në viji, me synim parandalimin e ngjarjeve dhe kapjen e vënien para drejtësisë të autorëve të veprave penale, personave të kërkuar, si dhe të personave që mbajnë armë apo eksplozivë.
Rezultatet e aksionit
– Janë kontrolluar 164 ambiente të ndryshme
– Janë shoqëruar në polici 49 persona
– Janë sekuestruar rreth 1.5 kg lëndë narkotike e dyshuar heroinë
– Janë sekuestruar rreth 700.000 euro
– Janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme armësh zjarri
– Është sekuestruar një pajisje për prodhimin e eksplozivëve
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





