3 nëntor 2015 – 4 ndeshje të shtunën dhe 1 të dielën, të gjitha të servirura drejtpërdrejt në ekranin e SuperSport. Është ky programi i javës së 10-të të Kategorisë Superiore i zyrtarizuar nga FSHF.
Pas një faze të përjetuar me emocion, gëzime e zhgënjime, problematika por dhe surpriza, protagonistët vijojnë rrugën në kërkim të objektivave. Partizani kryesues zbret ndër skuadrat e para në fushë, në orën 14.00 të së shtunës në transfertën delikate të Laçit, skuadrës së vetme që i ka marrë pikë trupës së Starovës këtë sezon. Të kuqtë e gjejnë formacionin e Cungut jo në formën e tij më të mirë, pas 3 barazimesh dhe humbjes me Skënderbeun, por Laçi është gjithmonë një kundërshtar i fortë me karakteristikën për t’i bërë keq të mëdhenjve.
Në të njëjtën kohë Tirana do të presë në shtëpi Tërbunin, me kalendarin që i ofron të paktën në letër, kundërshtarin më të mirë bardhebluve për të vijuar në rrugën e rigjetur të fitoreve me Ilir Dajën në drejtim.
Në “Adush Muca” Bylisi pret Kukësin në një përballje me humore diametralisht të kundërta. Ballshiotët kanë gjetur fitoren e parë sezonale ndaj Vllaznisë, ndërsa te Kukësi disfata zhgënjyese me Tiranën ka trazuar ambientin duke ngritur pikpëpyetjet mbi Troisin dhe modelin brazilian.
E shtuna e Superiores mbyllet me derbin bregdetar mes Teutës dhe Flamurtarit në “Niko Dovana”. Pas humbjes me Partizanin Magani synon rikthimin te suksesi ndaj skuadrës me të cilën pak vite më parë rivalizonte Skënderbeun për titullin, ndërsa tani e rigjen Flamurtarin me krizën administrative të stampuar në fytyrë si një njollë që nuk mund të hiqet thjesht me premtimet boshe deri më tani të drejtuesve.
Të dielën është radha e kampionëve. Përballje shtëpiake për Skënderbeun me Vllazninë, një tjetër viktimë e problemeve financiare të këtij sezoni, por që gjithsesi kërkon përqëndrimin maksimal me statusin e një skuadrë që pavarësisht pikëve në klasifikim ka treguar se di të luajë futboll duke mbetur një kundërshtar për t’u vlerësuar.
/portali DurresLajm/