Mbërrin në portin e Durrësit një nga velierat më të mëdha në botë, ndërtuar në vitin 2016.
Superjahti “Aquijo”, 85 metra i gjatë, është ankoruar rreth orës 07.00 të ditës së sotme në portin më të madh në vend për të bërë furnizimet e nevojshme, pasi për shkak të masave kufizuese prej pandemisë Covid-19, personat që ndodhen në bord e kanë të pamundur të zbresin në tokë. Veliera është prodhuar rreth 4 vite më parë nga dy kantiere ndërtimi holandeze Vitters dhe OceanCo.
“Aquijo” ankorohet për herë të parë në portin e Durrësit dhe do të niset sërish për lundrim rreth pasdites. Superjahti është nisur nga Majorka, Spanjë dhe po udhëton drejt portit të Splitit në Kroaci. Në bordin e super velierës mund të qëndrojnë 12 të ftuar, të cilëve u shërbejnë 17 pjesëtarë të ekuipazhit. Veliera merret me qira nga milionerët dhe Vip-at, pasi qiraja javore vetëm për një javë udhëtim me të shkon rreth 450 mijë euro.
Vlen të përmendet fakti se gjatë muajve të fundit, porti i Durrësit po përfshihet gjithnjë e më shumë në itinerarin e jahteve dhe veliera luksoze që lundrojnë në pellgun e Mesdheut. Por për fat të keq, pandemia Covid-19 pamundëson zbritjen e personave që ndodhen në bord, në qytetin bregdetar.
Në fillim të prillit, në Durrës u ankorua super jahti “Maltese Falcon”, qëndrimi i të cilit u shoqërua me polemika dhe debate mes kreut të Drejtorisë së Përgjithshme Detare Paulin Ndreu dhe Auron Tares. Ndërkohë, më 30 maj u ankorua jahti superluksoz Al Mirqab, pronë e ish-kryeministrit të Katarit dhe Ministrit të Jashtëm Hamad bin Jassim bin Jaber Al Thani.