11 gusht 2015 – Superkupa e Europës luhet sot në 20:45 mes dy skuadrave spanjolle. Këtë radhë përballë Sevijës, fituese të Europa League do të jetë skuadra e Barcelonës. Në sulm, katalanasit e Luis Enrikes nuk do të kenë në dispozicion Neymar, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, por në fushën e lojës do të jenë Messi dhe Suarez, të cilëve do t'u bashkohet edhe Pedro.
Sezonin e kalur Barcelona i fitoi të tre trofetë sezonalë dhe kjo e bën atë favorite për sfidën me andaluzianët, por nuk mendon kështu trajneri Luis Enrike.
“Nuk më intereson shumë nëse ne jemi favoritë për të fituar apo jo. Ajo që duhet të bëjmë është të tregojmë sai jemi përmirësuar në fushën e lojës. E dimë që kjo ndeshje nuk do të jetë e lehtë. Ndeshjet e fundit e kemi pasur të vështirë të fitojmë ndaj Sevijës. Do të jetë emocionuese sfida e Superkupës dhe ne mezi po presim të zbresim në fushën e lojës”, ka thënë ai.
Edhe trajneri i Sevijes, Unai Emeri shprehet i emocionuar për këtë përballje, duke shtuar se kjo është një tjetër mundësi që i jepet skuadrës së tij për të fituar këtë trofe.
“Na jepet një tjetër shans që duam ta shfrytëzojmë. Luajmë përballë një kundërshtari më të fortë që është edhe favorit për të fituar, por ne kemi shumë aspekte të tjera në favor dhe do të punojmë me pikat tona të forta për të mposhtur kundërshtarët tanë”, ka shtuar Emeri.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/