Trofetë janë bërë për t’u fituar në fushë dhe atë e realizoi me sukses Teuta e trajnerit shkodran Edi Martini që “gjunjëzoi” Vllazninë në shifrat 3-0.

Ky është trofeu i katërt radhazi për durrsakët në kuadrin e dy sezoneve, ky dy janë Superkupa të Shqipërisë. Kjo ishte ndeshja e parë zyrtare për këtë sezon në futbollin shqiptar, njëkohësisht edhe e para nën mbikëqyrjen e sistemit VAR.

-Rikthimi i Sherif Kallakut, madje edhe si kapiten, duke si një garanci për të mbushur “gropën” që la largimi i golashënuesit më të mirë të sezonit të shkuar, Dejvi Bregu.

-Teuta ka pësuar ndryshime të mëdha, kryesisht në fazën mbrojtëse. Portieri Qirko dhe dyshja e qendrës, Selmani-Ivanoviç, edhe pse kanë pak ditë në ekip, shikohen në rrugën e duhur për të mos u ndier largimi i treshes kampione Frashëri-Arapi-Hoxha. Grinta e dyshes së mesfushës, Aleksi-Daja, u konfirmua sërish në nivel të lartë.

-Durrsakët kanë vuajtur në sezonin e shkuar në fazën sulmuese, por ndaj Vllaznisë pati shkëndija pozitive, ku Sebino Plaku mbetet ende një “goditës” i portave kundërshtare, ndërsa të rinjtë, si Gruda, janë më të pjekur dhe më besues në aftësitë e tyre.

-Teuta me trofeun e fundit dha sinjale vazhdimësie, duke bindur edhe skeptikët që tre trofetë e fituar më parë nuk kanë qenë të rastësishëm. Përpos ndryshimeve në çdo repart, durrsakët e shënuan sërish emrin si pretendent kryesor në sezonin e ri.