Skënderbeu është aktualisht në vendin e parë të renditjes me 13 pikë. Ekipi korçar ka qenë më produktivi deri tani në kampionat për golat e shënuar. “Ujqërit” kanë shënuar 9 gola dhe kanë pësuar tre. Golashënuesi më i mirë për Skënderbeun është mesfushori Sabjen Lilaj, i cili ka shënuar tre gola të gjithë me penallti.

Të tjerët janë shënuar nga Sue, Muzaka, Dita, Shkodra dhe Jashanica, ndërsa një prej 9 golave të shënuar nga Skënderbeu, është autogol i Ademir-it, lojtarit të Laçit. Kukësi është i dyti në klasifikimin e përgjithshëm të Superligës, njëkohësisht i dyti dhe për golat e shënuar.Elis Bakaj ka shënuar 3 gola për Kukësin, ndërsa sulmuesi i ardhur me bujë në merkaton e verës, Rauf Aliev ka shënuar vetëm një gol. Dy golat e tjerë për ekipin e Kukësit janë shënuar nga Guri dhe Elton, ndërsa një gol në favor të Kukësit është autogol.

Flamurtari ndodhet në vendin e tretë në renditje, e së bashku me ekipe si Teuta dhe Laçi, kanë shënuar nga 6 gola. Flamurtari ka aktualisht dhe golashënuesin më të mirë të momentit. Tomislav Busic ka shënuar 4 gola individualë për ekipin e Flamurtarit.

Ndërkohë ekipe të tjera të Superligës, kryesisht ato që janë poshtë mesit të renditjes kanë shënuar nën 4 gola deri tani, rekordin negativ e mban Lushnja, që ka shënuar vetëm njëherë në 5 javë kampionat. 13 sulmues kanë shënuar gola deri tani në Superligë, ndërsa pjesa tjetër e rrjetave është prekur nga këmbët e mesfushorëve dhe tek-tuk të ndonjë mbrojtësi.

Disa ekipe të Superligës afruan në merkaton e verës sulmues me emër, disa prej të cilëve nuk kanë shënuar ende golin e parë, i tillë është Edgar Çani tek ekipi i Partizanit.