Nga Afrim Krasniqi
Ai mund të jetë biznesmen i suksesshëm, mund të jetë mik me kryetarin e partisë / kryeministër, mund të kontrollojë medien dhe hapësirën publike, mund të ketë pasuri të ushqejë protesta politike disa-javore të partisë së tij, mund tu mbyllë gojën grupeve të interesit dhe të kontrollojë gjykatat, mund të taksojë këto që dëshiron dhe të investojë kudo që dëshiron, mund të emërojë pedagogë e nëpunës, mund të shkarkojë cilido që i bën kritikë publike, mund të shantazhojë dhe të denigrojë në gjuhë zyrtare dhe me gjuhën e rrugës, mund të dominojë partinë e tij politike dhe garën elektorale, mund të mundë çdo kandidat përballë dhe mund të jetë superior në përballje me këto përballë.
Koha ka treguar se ai i ka të gjitha këto cilësi dhe i ka vënë në funksion të gjitha. Por në politikë dhe në shoqëritë moderne ka disa norma e standarde të tjera, të cilat ai as nuk i njeh dhe as nuk i ka aplikuar. Në politikë ekziston edhe fjala “moral”, fjala “i ndershëm”, fjala “etikë”, fjalët “sens mase”, fjala “përgjegjësi”, fjala “llogaridhënie”, fjala “vlerë”, fjala “qytetari”, fjala “modesti”, fjala “ndjesë”, fjalët “pasion pozitiv”.
Politika nuk është provë e dominimit të forcës dhe përdorimit të pushtetit ndaj të dobëtit, por është vizion, është aftësi, është kurajë për ndryshim dhe mbi të gjitha është shërbim publik ndaj qytetarit e shoqërisë. Ai mund të rrijë gjatë në pushtet, mund të bëhet edhe ministër apo akoma më shumë, por ai do të mbahet mend gjatë si njeriu që mori një qytet bregdetar turistik dhe e shndërroi në një bunker të betonizuar me burime në rastin më të mirë informale dhe në rastin më të keq kriminale.
Ai do të mbahet mend gjatë si njeriu që pati kurajën të thotë në TV live se për vota është i gatshëm të bëjë gjithçka, të krijojë çdo aleancë e çdo kontakt, të telefonojë këto e të shtrojë tavolina falënderimi për këdo, – duke ia njohur vetes këto të dhëna si cilësi pozitive. Ai ka të drejtë. Për të kanë qenë e janë cilësi pozitive. Ai sfidon e tallet me Kodet Etike në partinë e tij, me Kodin etik të sjelljes publike, me parimet e shtetit të së drejtës, me ligjet dhe parimet kushtetuese. As nuk i ka lexuar, jo më t’i ketë kuptuar. Nga e folura publike ai e shfaq dukshëm alergjinë ndaj leximit dhe kuptimit të normave demokratike. Madje këtë e quan cilësi.
Për një votë ai bën edhe gjëra më të paimagjinueshme sesa kaq. Por ky vend, kjo shoqëri, kjo politikë, e sotmja dhe e ardhmja jonë, sistemi që krijuam dhe aspiratat që kemi meritojnë më shumë respekt, më shumë sesa ai ofron. Ato nuk kanë asgjë të përbashkët me cilësitë e tij, me zgjedhjet e tij dhe me modelet që ai ofron në shtetin, shoqërinë dhe qytetarët. Ndaj prisja të kishte refuzim nga ata që mbushin tëitter e facebook, ekrane mediatike e media të shkruara me premtime e slogane “po ndërtojmë shtet”, “gjithçka për ju”, “Shqipëria që duam”, “Shqipëria e gjeneratës tjetër”, etj, etj. Jo, ata e njohin atë e cilësitë e tij, ndaj e duan, ndaj ka distancë të thellë midis retorikës politike dhe akteve konkrete.
Shqipëria është sot kaq e vonuar, kaq e lodhur dhe e zhgënjyer, kaq në braktisje nga të rinjtë, kaq e brishtë dhe kaq e vuajtur pikërisht sepse modele si ai i “supermenit” të Durrësit dhe cilësi politike si ato të kryebashkiakut të betonit, kanë pasur e kanë sukses majtas e djathtas, kanë qenë e janë të pushtetshëm majtas e djathtas, kanë marrë e kanë kontroll mbi politikën dhe vendimmarrjen lokale e kombëtare majtas e djathtas. Këto modele tregojnë se kemi prekur fundin dhe ngritja fillon nga refuzimi i tyre, me çdo çmim e formë demokratike.