19 automjete nga më të shtrenjtat në qarkullim, të vjedhura në disa shtete europiane, u bllokuan në disa rrethe të vendit.

Operacioni i koduar me emrin “Lux”, bllokoi 19 automjete luksoze si Range Rover, BMW X5 dhe X6 , Audi A6 dhe A8 dhe Benz Mercedes, të tipave të fundit, ndërsa 11 organizatorë dhe bashkëpunues të këtij rrjeti hajdutësh u arrestuan.

Sipas policisë, mjetet në fjalë janë  vjedhur në vendet e rajonit e më gjerë, si Mali i Zi, Bosnjë, Kroaci, Itali e Francë dhe kanë hyrë në Shqipëri me numra shasie të ndryshuara, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitare  te Hanit Hotit. Më pas, pasi bënin zhdoganimin, automjetet arrinin të pajiseshin me targa të rregullta.

Makinat luksoze ishin shitur në Laç, Sarandë, Tiranë dhe Shkodër. Pjesë të hetimit do të jenë edhe punonjës të doganës dhe policisë kufitare të Hanit të Hotit, nëse ata ishin të përfshirë në rrjet apo jo.