Tiranë, 30 korrik 2014 – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani bën me dije se thesaret e sigurisë së lartë në BSH nuk janë prekur. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjen se Komisionit të Ekonomisë Fullani theksoi se BSH mori masa që në momentin e parë të zbulimit të vjedhjes së 713 milionë lekëve nga thesari.
“Dua t’ju vë në dijeni menjëherë siç kemi dalë edhe me prononcimet tona për shtyp lidhur me çfarë është bërë. Ju kemi nisur një noftim për shtyp lidhur me administrimin e vlerave monetare. Kjo është hartuar mbi bazë të plotë ligjore në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Infrastruktura teknologjike garanton minitorimin në kohë. Kontrollet janë kryer në vazhdimësi. Mospërputhja me rigorozitet e disa punonjësit me detyrën e tyre ka krijuar hapësirë për përvetësimin e parave.
Prokuroria po kryen hetimet për të vendosur personat përgjegjës para ligjit. Ju falënderoj për paraqitjen e çështjes shumë të rëndë dhe ju kërkoj kujdes dhe duke ju garantuar që ne do i shkojmë deri në fund kësaj çështje duke nxjerrë përgjegjësitë e gjithsecilit. Rezervat e parve kesh që quhet thesar të magazinuara në Bankën e Shqipërisë në ambientet e sigurisë së lartë nuk janë prekur. Kombinimi i një sërë procedurash bëjnë të mundur pengimin çdo tentative për ti aksesuar”- u shpreh Fullani.
Fullani mori pjesë sot në një seancë të posaçme në Komisionin e Ekonomisë për të dhënë sqarime lidhur me skandalin e vjedhjes në BSH. Ai theksoi se Banka denoncoi në Prokurori rastin dhe theksoi se po punohet për zbardhjen e saj. “Patëm një mbledhje shumë të rëndësishme me Komisionin e Ekonomisë ku me mjaft përgjegjësi u diskutuan të gjitha problemet që lidhen me këtë çështje. U garantuar bashkëpunim me parlamentin organet e prokurorisë dhe gjithë institucionet. Banka Shqiptare ka bërë kallëzimin penal në Prokurori për punonjësit që janë zbuluar dhe kanë përvetësuar vlera monetare.
Ka kryer inventarizimin e vlerës monetare kartëmonedhe. Banka e Shqipërisë po punon ngushtë me organet e prokurorisë për zbardhjen e gjithë ngjarjes dhe marrjen në kohë hap pas hapi të të gjitha masave për ata që kanë shkelur detyrën ata që kanë pasur për detyrë ti ruajnë dhe kanë lejuar akte të tilla kriminale. Banka Shqiptare pret përfundimin e hetimeve”- u shpreh Guvernatori Fullani.
“BSH ka marrë të gjitha masat e menjëhershme që në momentin që u zbulua ky akt për të eliminuar pasojat e ngjarjes dhe rritur nivelin e kontrollit. Banka i ka të gjitha instrumentet dhe po punon me devotshmëri në mënyrë që jo vetëm të riparojë këtë dëm por edhe të garantojë funksionimin normal bankar dhe financiar dhe të marrë masa që histori të tilla mos përsëriten,”- përfundoi Fullani.
Mbledhja e Komisionit të Ekonomisë u zhvillua me dyer të mbyllura. Ajo ka zgjatur për më tepër se dy orë e 30 minuta. Seanca dëgjimore nisi në orën 09:00. Pas largimit të Guvernatorit Fullani u largua edhe Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Deputetët kanë pyetur guvernatorin lidhur me elementet e sigurisë së Bankës por edhe detaje të tjera mbi vjedhjen.
BRAÇE: TOLERANCE ZERO NAJ PERSONAVE TE PERFSHIRE. REFORMIM PER BSH
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes kreu i Komisionit të Ekonomisë Erion Braçe deklaroi se do të ketë tolerancë zero për çdo person që është përfshirë në zinxhirin e vjedhjes në BSH. Braçe sqaroi se në seancën dëgjimore me Guvernatorin Fullani u morën informacione të detajuar lidhur me hapat si ka ndodhur ngjarja. Ai u shpreh se është dëmtuar rëndë imazhi i Bankës së Shqipërisë dhe besimi i qytetarëve.
“Morëm një informacion të detajuar lidhur me gjithë çfarë ka ndodhur me Bankën e Shqipërisë për këtë ngjarje dhe një analizë paraprake me Bankën e Shqipërisë për përgjegjësitë. Diskutuam edhe për këtë çështje dhe analizuam faktin që me këtë ngjarje është cenuar imazhi i Bankës së Shqipërisë. Kemi kërkuar tolerancë zero për cilindo që është përfshirë në këtë ngjarje duke nisur nga Guvernatori deri te zyrtari i fundit në aspektin administrativ, ligjor dhe penal.”- u shpreh Braçe.
Braçe theksoi se nevojitet një reformë me ndryshime ligjore në Bankën e Shqipërisë. “Duhen ndryshime ligjore për Bankën e Shqipërisë, për të nxjerrë përgjegjësitë e plota për gjithë zinxhirin kriminal”.
Më tej ai bëri me dije se shuma e grabitur nuk mund të jetë më e madhe se 713 milionë lekë. Dhe se ngjarja nuk ka ndikim në sistemin financiar.
“Dua t’ju garantoj që të paktën nga raportimi që na kanë bërë ne nuk ka asnjë lloj mundësi që vlera të jetë më e madhe se vlera që u deklaroi Banka e Shqipërisë. Vjedhja nuk ka asnjë lloj impakti në aspektin ekonomik por vetëm në besimin e qytetarëve dhe imazhin e Bankës së Shqipërisë. Tolerancë zero për të gjitha hallkat e përfshirë në këtë vjedhje”- theksoi Braçe.
Kreu i Komisionit të Ekonomisë u shpreh se hetimi penal do të jetë gjithëpërfshirës dhe deri në përfundim të hetimeve nuk mund të thuhet se cili mban përgjegjësi të drejtëpërdrejtë. “Kemi vendosur bashkë me pjesëtarë të tjerë të komisionit që do vazhdojmë të ruajmë komunikimin për detyrat që kemi lënë ne si komision. Jemi në proces nuk mund tu them dot sot se kush e mban përgjegjësinë e drejtëpërdrejtë. Tolerancë zero për cilido që është pjesëtar. Hetimi të jetë gjithëpërfshirës dhe prokuroria të përfshijë më shumë njerëz në hetim”-u shpreh Braçe.
Ndërsa deputeti Kokëdhima pas takimit në një prononcim për gazetarët nuk dha shumë detaje se çfarë u diskutua në mbledhje por tha se është BSH ajo që do analizojë situatën.“Banka e Shqipërisë do i analizojë të gjitha gjërat dhe do nxjerri përgjegjësitë e nevojshme dhe do i publikojë të dhënat. Patëm një seancë bashkëbisedimin lidhur me ngjarjet që zhvillohen sot”- u shpreh pas mbledhjen deputeti Koço Kokëdhima.
Një ditë më parë Braçe, ka kërkuar paraqitjen në një seancë të posaçme, të Guvernatorit të Bankës Qendrore, Ardian Fullani, për të dhënë informacion lidhur me vjedhjen disa milionë dollarëshe nga Thesari.
Deputeti socialist nisi një shkresë zyrtare, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore që parashikojnë varësinë e Bankës nga Parlamenti, si dhe faktin që Inspektori i Përgjithshëm i Bankës Qendrore, i cili ka për detyrë pikërisht kontrollin e brendshëm emërohet nga Parlamenti.
Ndërkohë prokuroria e Tiranës e cila po vijon hetimet është në pritje të raportit të grupit të auditit, i cili do të përcaktojë vlerën e saktë të parave që janë vjedhur në repartin X në Linzë. Përgjatë ditës së djeshme prokurorët sekuestruan në ambientet e Bankës së Shqipërisë, pamje filmike të kamerave të sigurisë së repartit ku ka ndodhur vjedhja, por që ruheshin në institucionin qendror.
Disa ditë pas zbulimit të vjedhjes spektakolare te Thesari, Banka e Shqipërisë bën të ditur sasinë e munguar të parave. Pas përfundimit të procesit të inventarizimit të plotë të të gjithë vlerave monetare që ndodhen në magazinat e Bankës së Shqipërisë, rezulton se vlera e monetare e munguar është 713 (shtatëqind e trembëdhjetë) milionë lekë, prej të cilave 143 milionë lekë para e nxjerrë nga qarkullimi për t’u asgjësuar.





