Një qytetar nga Durrësi i është drejtuar ditën e sotme kishës ortodokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti”, në lagjen nr.3, në Durrës për të ndjekur meshën e së dielës.
Automjetin e kishte parkuar afër kishës, por pas daljes nga mesha është përballur me një surprizë të hidhur.
Ka gjetur xhamin e automjetit të thyer dhe celularin e laptopin të vjedhur. Dëshmitarë që ndodheshin në vendngjarje kanë bërë të ditur se madje besimtari i ka rënë numrit të tij dhe personi që e kishte vjedhur ia hapte telefonin, por nuk i kthente përgjigje.
Në komunikim me hajdutin, qytetari i kishte thënë se mund ta mbante laptopin, vetëm t’i kthente telefonin, por deri në mbërritjen e policisë nuk kishte marrë përgjigje nga personi që ia vodhi.
Mësohet se policia ka nisur hetimet për rastin. Efektivët janë në pritje të mbërritjes së ekspertëve për të verifikuar kamerat e sigurisë që ndodhen në zonë, të cilat mund të hedhin më shumë dritë mbi identitetin e personit që realizoi vjedhjen.





