Pasi ka surprizuar me listën e kandidatëve për deputetë në të gjitha qarqet e vendit, për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, Kryeministri Rama godet sërish. Ai e ka nisur këtë mëngjes duke u bërë me dije të gjithë ndjekësve në “Facebook” këngën që do të shoqërojë PS-në gjatë fushatës elektorale.
Është kënga e David Guetta-s dhe Zara Larsson që u përdor për Kampionatin Evropian 2016, por ajo në versionin për Shqipërinë – “This One’s For You Albania”.
Rama thotë se kjo këngë u zgjodh mes 1797 propozimeve, ndërsa thotë se shorti për ndarjen e çmimeve të fituesve mes propozuesve të kësaj kënge do të hidhet gjatë Kongresit të Partisë Socialiste, më 9 maj.
“MIRËMËNGJES
dhe ju uroj një të diel të qetë me këngën që mes 1797 propozimeve është përzgjedhur të na shoqërojë në rrugën drejt 18 qershorit të Fitores 2017.
Shorti për ndarjen e çmimeve të fituesve mes propozuesve të kësaj kënge fantastike do të hidhet gjatë Kongresit të Partisë Socialiste, që do te zhvillohet në Ditën e Europës, më 9 maj”, shkruan Rama.





