Një tjetër kandidat për kryetar bashkie do t’i shtohet garës elektorale për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit në Durrës.
Ndërsa mendohej se procedurat e regjistrimit në KQZ kishin përfunduar dhe përballja do të ishte mes kryetares në detyrë Emiriana Sako, kandidatit nga PD, Luan Hoti dhe kandidatit të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Ardian Muka një emër i ri shfaqet në skenë.
Partia LRE (Lëvizja e Re) ka vendosur të kandidojë në Durrës 43-vjeçarin Jonid Nano (Jani Nano).
43-vjeçari i lindur në Berat, në formularin e dorëzuar për regjistrim në KQZ figuron me emrin Jonid, ndërsa në posterin elektoral të partisë së tij shfaqet me emrin Jani Nano. Pak i çuditshëm duket fakti që kandidati prezantohet me dy emra të ndryshëm!
Nano mban postin e sekretarit organizativ të LRE dhe është anëtar kryesie i saj, ndërkohë që është një emër i njohur në sportin e boksit, ku disa herë ka qenë trajner i ekipit kombëtar. Që nga viti 2020 ai është kryetar i Komisionit të Boksit Profesionist.
Vitet e fundit, Nano ka dhënë një kontribut të vlefshëm në fushën akademike me botime shkencore, literaturë sportive etj, bëhet e ditur ndër të tjera në një CV të shkurtër të tij.
Ka qenë vetë kreu i LRE-së, Arian Galdini, që përmes një postimi në rrjete sociale ka njoftuar përfshirjen e Nanos në garën për kreun e bashkisë Durrës.
“Sot merr udhë kandidimi zyrtar për Kryetar Bashkie në Durrës i Jani Nano si edhe i Dritan Torba për Kryetar Bashkie në Dibër.
Besoj se ia kemi dalë.
Duhet vetëm të presim proçedurat formale në KQZ dhe vendimin e KQZ për 2 kandidatët tanë.
LRE ndryshe nga partitë e tjera pjesëmarrëse në garën elektorale të 6 marsit, ka vendosur që të respektojë ligjin.
Ne do ta bëjmë hapjen zyrtare të Fushatës Elektorale për zgjedhjet e pjesëshme të 6 marsit, në dt 20 shkurt.
Simbolika jonë është e qartë: 20 shkurt 1991 – 20 shkurt 2022, Busti nuk ka rënë, thjesht është shumëfishuar. Duhet ende të bien Statujat…
LRE është partia e parë e rithemelimit të pluralizmit, si partia e vetme e krijuar pa porosi, pa urdhëra, pa kompromise, pa marrëveshje.
Do tia dalim.
Suksese Jani Nano dhe Dritan Torba.
Suksese LRE.
Ne jemi e djathta humane.
Ne jemi partia e së nesërmes.
Do tia dalim.” – shkruan Galdini në postimin e tij.