4 nga mozaikët më të famshëm të Durrësit u ekspozuan në qendër të qytetit në një formë të pazakontë.
Merita ishte e përkushtimit disa ditor të më shumë se 60 nxënësve të shkollës “Jusuf Puka”, të udhëhequr nga mësuesi i lëndës së arteve, Altin Shuaipi.
Mozaikët e realizuar në formë puzzle-i gjigand në 3D, në kuti kartoni të riciklueshme, por edhe me tapa shishesh, tërhoqën vëmendjen e jo pak qytetarëve.
“Janë përdorur mbi 28 mijë pjesëza për të formuar 4 mozaikët. Është një volum shumë i madh pune. Kanë punuar rreth 60 nxënës, por 10 -12 prej tyre janë angazhuar më shumë. Imagjinoni që çdo fëmijë ka ngjitur rreth 2000 copa. Është punuar rreth 1 muaj, kemi menduar dhe mënyrën sesi do të ngrihej, si do të prishej e më pas të ndërtohej.” – tha mësues Altin Shuaipi.
Koordinatorja e projektit Ajra Shima, tregon për “DurrësLajm” se angazhimi i të gjithë nxënësve ka qenë maksimal.
“Ishte e vështirë të përzgjidhnim mozaikët, sepse dihet që Durrësi ka mozaikë shumë të famshëm dhe të bukur. Ne përzgjodhëm 4 më të njohurit; Bukuroshen e Durrësit, mozaikun me Hipokamp, mozaikun e Arapajt dhe atë të Amfiteatrit. Të gjithë nxënësit e morën me shumë qejf në fillim, edhe pse nuk e dinin për çfarë bëhej fjalë dhe realizuam diçka shumë të bukur”.
Drejtroresha e shkollës, Blerta Maliqati theksoi gjatë fjalës së rastit se projekte të tilla “Jusuf Puka” do t`i vijoj edhe në të ardhmen.
Ndërkohë, nxënësja e klasës së 9-të, Luiza Daçi ishte përqendruar tek një tjetër aset i rëndësishëm i qytetit, porti tregtar.
Për Miranda Mancaku, drejtuese e projektit “Zhvillimi i trashëgimisë së Durrësit bazuar në kulturën krijuese”, angazhimi i kaq shumë nxënësve ka për qëllim njohjen e tyre me asetet e rëndësishme arkeologjike e historike të qytetit 3000-vjeçar.
Projekti i 4 mozaikëve në puzzle 3D u realizua në kuadër të mbështetjes që programi EU4Culture dhe UNOPS, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, kanë dhënë për vendin tonë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
M.B.